MSc. Ledio XHOXHI, Historian KODIKËT E HERSHËM TË BERATIT Perandori Justinian, pikërisht më 527, sapo hypi në fron lëshoi një urdhër perandorak për kopjimin, mbledhjen dhe grumbullimin e dokumenteve historike në qendra të përshtatshme. Luftrat, pushtimet e huaja dhe pakëz edhe fatkeqësitë natyrore na kanë privuar nga kjo pasuri dokumentare, e cila do të ndriçonte periudha të rëndësishme të historisë shqiptare. Kodiku i parë Gjithsesi, është pikërisht një kodik i cili shënon edhe fillimin e arkivit shqiptar. Bëhet fjalë për Kodikun e shek. VI ose siç njihet në mbarë botën CODEX PURPUREUS BERATIMUS, i cili tashmë së bashku me atë të shekullit të IX, janë pasuri kulturore botërore të mbrojtura nga UNESCO. Ky dokument ka rëndësi të madhe, jo vetëm kombëtare, por edhe për të gjithë universin bizantin. Ai i përket periudhës më të hershme dhe, veç tij, sot në botën shkencore njihen dhe tre kodikë të tjerë të kësaj kohe (Petropolitaus, Vindeboneusis dhe Sinoponcis). Përveç vlerës si antikuar, merr rëndësi për historinë e krishtërimit, për historinë e traditës së shkrimit e për faktin se është ruajtur në gjendje të lexueshme për afro 15 shekujsh. Ky kodik i famshëm, i dëmtuar pjesërisht, përmban ungjijtë sipas Mateut dhe sipas Markut. Kodiku në fjalë, në formën që arriti deri në ditët tona, kishte 190 fletë pergamene, të ngjyera në të kuq të thellë (purpurt). Ai ishte shkruar me gërma argjendi të tretur, me përjashtim të disa faqeve, ku disa fjalë janë shkruar me ar. Teksti paraqitet i ndarë në 2 kolona, shkrimi është i vazhdueshëm, pa ndarje midis fjalëve. Analiza e gërmave dhe krahasimi me tekstet e pakta të ruajtura të këtij tipi, i ka shtyrë shkencëtarët t’i caktojnë Kodikut të Purpurt të Beratit shekullin e VI si kohë lindjeje. Dorëshkrimi është i shkruar me gërma të mëdha biblike, shkrim që u shenjtërua që në shek. III pas Krishtit, dhe vazhdoi të përdorej në praktikën librore deri në shek. IX. 1
Kapaku - Pjesa e përparme Kapaku - Pjesa e prapme Kodiku i dytë Kodiku i dytë nga Berati, që na intereson në këtë mes, njihet në shkencë me emrin “Codex Aureus Anthimi“ (Kodiku i Artë). Siç e thotë edhe emri, ky kodik ishte shkruar mbi pergamenë me gërma ari të tretur dhe analiza paleografike i cakton shek. IX. Si vëllim, Kodiku i Artë është shumë më i madh, ka 413 fletë në format 24 x 19 cm dhe është shkruar me gërma të një tipi më të ri, të rrumbullaktë e me bishta, të quajtur korsiv minuskul (shkrim i përdorur në shek. IX-X). Në vitet që pasuan, për një periudhë kohore të caktuar, të dy dorëshkrimet (i shek. VI dhe i shek. IX) u quajtën të zhdukura. U rishfaqën në vitin 1968, në një kishë në lagjen “kala” të Beratit, për fat të keq tepër të dëmtuara. Ngjyra e purpurt e pergamenës të Beratimus-1 ka pësuar një zbehje dhe çngjyrosje progresive gjatë shekujve. Vetë pergamena është brejtur dhe dëmtuar. Në vitin 1971, në bazë të një marrëveshjeje ndërshtetërore, Kodiku i Purpurt i Beratit u dërgua në Kinë për t’u restauruar. Përveç restaurimit, i cili u krye me sukses, u realizua dhe një riprodhim i njësojtë, që shërben për qëllime studimore, në vend të origjinalit. Për të siguruar një ruajtje që t’i qëndrojë kohës, të gjitha faqet e dorëshkrimit, pas restaurimit, janë futur në pllakëza xhami me mbyllje hermetike. 2
Kodiku është ndarë në nëntë volume, që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë. Kapaku i Beratimus-1 është metalik dhe ka dekoracione në reliev. Kapaku është mjaft më i vonët se kodiku, i punuar në vitin 1805. Në kapakun e përparmë jepet në qendër figura e zbritjes së Krishtit në Had. Në të katër këndet paraqiten ungjillorët Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni. Pjesët bosh mbushen me dekore lulesh. Kapaku i pasmë është pothuajse si ai i përparmi. “Codex Purpureus Beratinus“ është i përfshirë në programin “Kujtesa e Botës“ (Memoire du Monde) të Unesco- s dhe është gjithnjë nën kujdesin e këtij organizmi ndërkombëtar. Në jubileun e madh të 2000-vjetorit të krishtërimit, kodiku, për herë të parë, me leje të posaçme të autoriteteve shqiptare, ekspozohet jashtë kufijve shtetërorë, në ekspozitën “Ungjijtë e Popujve“, organizuar nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit për nder të kësaj ngjarjeje të madhe. Në ekspozitën “Ungjijtë e Popujve” (I Vangeli dei Popoli) ai u vlerësua si një privilegj i rrallë dhe u vendos i dyti në radhë, për nga rëndësia dhe kronologjia, përkrah “Codice B” ose “Codice Vaticana” dhe “Codex Sinopensis” të Bibliotekës Kombëtare të Francës. Të krahasueshëm me “Beratinus-1” janë gjithashtu dy-tre kodikë të tjerë, që gjenden në Izrael (Sinaiticus), në Greqi (Petropolitanus), në Petersburg dhe në Londër. Sipas vlerësimeve të studiuesit të artit mesjetar, Theofan Popës, në “Kodikun e Purpurt të Beratit” gjendet “një prej varianteve më të vjetra të tekstit të Dhjatës së Re”. Histori për mbrojtjen e Kodikëve të Beratit Shënim i vitit 1356 në “Diptikun e kishës së shën Gjergjit”, Berat: “Kur hynë serbët në Berat dhe bridhnin poshtë e lart në rrugicat jashtë kalasë, patrioti beratas i shek. XIV, i quajtur Skuripeqi, i shpëtoi manastirit të Theologos dhe kishës së Shën Gjergjit, 27 libra nga më të mirët e më të zgjedhurit. I mbajti në krahë e shpatulla dhe bëri katër rrugë. Po të mos ndërhynim ditën e parë, ditën e dytë s’do të gjendej asgjë, pasi serbët ... edhe të vdekurit i nxorën nga varri”. Me këtë rast, shkruesit e këtyre shënimeve kanë rreshtuar emrat e kodikëve të vyer, që ata u kujdesën t’i “evakuonin” dhe nuk çuditemi që midis tyre, pranë kodikëve që ndërkohë kanë humbur, figuron edhe Beratasi ynë i Purpurt me gërma të argjendta. Pra, edhe në këto kohëra kishte njerëz patriotë, që i donin dhe dinin t’i çmonin librat. Autoritetet kishtare dhe besimtarët e Beratit, të cilët ishin 3
urdhëruar të dorëzonin menjëherë të dy dorëshkrimet, refuzuan të tregonin vendin në të cilin i kishin fshehur, megjithëse kjo për ta ishte një sakrificë e madhe. Ato i kishin fshehur në gurët që vishnin anët e brendshme të një pusi. Nga “Historiku i kodikëve”, AQSH, Fondi i DPA, V. 1972: Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Komanda e ushtrisë hitleriane kishte urdhër që të gjente dhe të rrëmbente domosdoshmërisht floririn e Bankës së Shqipërisë dhe “Kodikun e Purpurt të Beratit”. Ushtria naziste e rrethoi kishën e Shën Gjergjit dhe shpalli se, po të mos dorëzohej dorëshkrimi, priftërinjtë do të vriteshin. Këshilli i kishës së Shën Gjergjit, në këto kushte, i kërkoi leje ikonës së shën Mërisë të mos i ndëshkonte nëse do të dëgjonte nga anëtarët e sinodit një betim të rremë. Pas kësaj lutjeje, gjashtë anëtarët e këshillit (sinodit) e fshehën dorëshkrimin në një pusetë nëntokësore të maskuar pranë altarit dhe i deklaruan komandës së ushtrisë së huaj se ishin gati të betoheshin para ikonës së Shën Mërisë se nuk dinin asgjë se ku gjendej vepra e kërkuar. Në vitet e para mbas çlirimit, punonjësit e shkencës, gjatë gjurmimit për të gjetur e identifikuar monumentet e kulturës sonë, konstatuan me shqetësim të madh mungesën e dy kodeve mesjetare, që përbënin pjesën më të vlefshme të bibliotekave të dorëshkrimeve të Beratit. Hetimi i kodikëve të fshehur u bë një problem, jo vetëm për specialistët e fushës, por edhe për njerëzit e thjeshtë të popullit. Organet e pushtetit në Berat kishin të dhëna dhe sinjalizime nga populli se në mitropoli, në lagjen Kala, ndodheshin të fshehur dy kodikë. Duke u nisur nga kjo e dhënë, nëpunësit e komitetit ekzekutiv e të degës së punëve të brendshme, kontrolluan fasadën e brendshme të kishës në pjesën lindore, hoqën tre pllaka guri dhe u duk një bodrum që ishte rreth 2 m i gjatë dhe 1,5 m i gjerë. Brenda në bodrum u gjend një arkë prej llamarine, brenda së cilës ishin kodikët, të mbështjella me kashtë. Kapakët ishin metalikë, ndërsa fletët e brendshme ishin pjesërisht të prishura nga lagështira dhe myku. Gjithashtu brenda në arkë u gjend dhe një kuti e vogël prej dërrase, ku ishte vendosur një medalion i rrumbullakët i lidhur me zinxhir, i larë me argjend. Këtë medalion e përdorte prifti në ditët e festave fetare. Eshtë për t’u vënë në dukje se për gjetjen e këtyre kodikëve një kontribut të madh ka dhënë qytetari beratas Nasi Papapavli, me indikacionet e tij të sakta ku 4
duhej kërkuar për kodikët e fshehur, si dhe me sinjalizimet e dhëna nga qytetari beratas Dhimitër Tutulani, nëpunës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Kodikët bashkë me medalionin iu dërguan Ministrisë së Arsim-Kulturës në Tiranë, e cila më datën 21 gusht 1968 ia dorëzoi Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Në vitin 2011, Banka e Shqipërisë emetoi monedhën metalike pa kurs ligjor për qëllime numizmatike, me titull “Kodiku i Purpurt i Beratit - Beratimus 1”. Vlera emërore e kësaj monedhe është 50 lekë, me logon e UNESCO-s mbi numrin “5”. Të shkruar përreth ka “Kodiku i Purpurt i Beratit 043 Φ - Beratinus 1”. Monedhat janë prodhuar nga kompania “Royal Canadian Mint”, Ottawa, Ontarion, Kanada. 5
Search
Read the Text Version
- 1 - 5
Pages: